Në një operacion të policisë turke në Istanbul janë arrestuar katër persona, mes tyre edhe i arratisuri i FETO-s, Selman Gülen, nipi i liderit të organizatës terroriste FETO, Fetulla Gülen.

 

Siç bënë të ditur burimet e sigurisë, operacioni u krye në koordinim me Agjencinë e Inteligjencës Kombëtare të Türkiyes (MIT), ndërkaq nga liria u privuan anëtarët e organizatës terroriste FETO, të cilët u gjetën në një banesë në Istanbul, ku ishin fshehur për rreth një vit.

 

Në banesë u gjet i arratisuri i FETO-s, Selman Gülen, nipi i liderit të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gülen, gruaja e tij Nur Gülen dhe prindërit e saj Bekir dhe Mina Ozturk.

 

Të arrestuarit ishin në kërkim më parë nga drejtësia turke për menaxhimin e shoqatave dhe fondacioneve të lidhura me organizatën terroriste FETO, të ashtuquajturën udhëheqje të saj, si dhe për financimin e FETO-s duke paguar shuma të mëdha nëpërmjet Bank Asya.

 

Sipas burimit të njëjtë, Selman Gülen është konstatuar se ka qenë aktiv në strukturat financiare të organizatës terroriste edhe në momentin e arrestimit. Në banesën ku u kapën anëtarët e FETO-s, u gjetën sasi e konsiderueshme e parave dhe materialit digjital.

 

Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për tentativën e përgjakshme të grushtit të shtetit në Türkiye natën e 15 korrikut 2016. Kjo është organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gülen, i cili jeton në ShBA, ekstradimin e të cilit Türkiye e ka kërkuar zyrtarisht nga ShBA-ja.

 

Për vite me radhë, anëtarët e kësaj organizate terroriste u infiltruan në shërbim duke kurdisur provimet dhe kështu duke depërtuar në institucionet e shtetit. Më pas, fillimisht në dhjetor 2013, anëtarët e FETO-s u përpoqën të ndjekin penalisht shumë zyrtarë të lartë në gjyqësorin turk nëpërmjet një procesi të montuar për shkak të korrupsionit të dyshuar.

 

Disa vite më vonë, pasoi tentativa e përgjakshme e terroristëve të FETO-s, kur më 15 korrik oficerët e ushtrisë turke besnike të kësaj organizate terroriste kryen komplotin e grusht shtetit.

 

Hetimet për organizatën terroriste FETO kanë treguar se bëhet fjalë për një rrjet global që përbën rrezik jo vetëm për Türkiyen, por edhe për çdo vend tjetër ku ajo është aktive dhe këtë e kanë potencuar disa herë zyrtarët turq. Gjatë tentativës për grusht shteti në Türkiye, 251 persona u martirizuan dhe 2.734 të tjerë u plagosën./AA