Autoriteti Palestinez deklaroi se “seria e vrasjeve” të kryera nga Izraeli çdo ditë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor është një luftë gjithëpërfshirëse gjenocidale kundër popullit palestinez, transmeton Anadolu.

“Izraeli e ka tërhequr gjithë rajonin në dhunë dhe shkatërrim me të gjitha llojet e mjeteve si vrasje, masakër, shkatërrim, sekuestrim të tokave palestineze, sekuestrim të pasurive palestineze, ndërtim vendbanimesh kolone dhe terrori i kolonëve hebrenj”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Presidencës Palestineze Nabil Abu Rudeyne.

“Seria e vrasjeve të kryera nga ushtria izraelite çdo ditë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, e fundit prej të cilave është vdekja e katër palestinezëve në Tulkerim dhe tre në Nablus, është një luftë gjithëpërfshirëse gjenocidale kundër popullit palestinez”, tha Abu Rudeyne, duke theksuar se Izraeli i ka kryer këto krime nën hijen e heshtjes “së papranueshme” të bashkësisë ndërkombëtare dhe se kjo situatë e ka tërhequr rajonin në zjarr.

Duke deklaruar se SHBA-ja, duke mbështetur Izraelin, është përgjegjëse për përshkallëzimin e sulmeve të Izraelit, Abu Rudeyne i bëri thirrje Washingtonit që të ndërmarrë veprime urgjente për të ndaluar sulmet.

Mëngjesin e sotëm, tre palestinezë u vranë në një sulm nga forcat izraelite ndaj një automjeti në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor dhe katër persona u vranë në një sulm me mjet ajror pa pilot në një kamp refugjatësh në qytetin Tulkerim./aa