Ministri i Brendshëm, Taulant Balla mblodhi sot drejtuesit e Ministrisë dhe strukturave të varësisë për të komunikuar prioritetet e detyrës së tij.

 

Takimi nisi në ora 10:00, në sallën e konferencave në Ministrinë e Brendshme. Takimi vjen 2 ditë pas marrjes së detyrës së ministrit të Brendshmen nga Balla. Si Ministër i ri i Brendshëm, Balla nënvizon se lufta ndaj lëndëve narkotike do të jetë sistematike dhe pa kompromis.

 

Ministri i Brendshëm, në çelje të fjalës së tij, tha se nuk do të ketë ndryshime në kupolën e policisë, por nuk do të kursej askënd që shkel besimin e tij.

 

“Do i jap secilit prej jush mundësinë që të punojmë të gjithë se bashku. Ka ndodhur në të shkuarën që pasardhës të mi e kanë nisur detyrën duke ndërruar drejtues dhe shefa. Unë nuk e shoh të udhës që të gjykoja njërin prej jush nga lartësia e detyrës sime. Jam këtu për t’ju udhëhequr, për t’ju mbështetur e duke dëgjuar prej jush. Natyrisht fakti që e marr stafetën nga një koleg e shok i imi i njohur për seriozitetin dhe korrektesën e tij, ma bën të lehtë se sa sikur të më duhej të nisja nga e para”, tha Balla.

 

“Kush do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë në vijën e këtij fronti të përbashkët do të ketë mbështetjen time pa rezerva. Kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të punuar së bashku, për të shkuar përtej vetes do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka. Asnjë deputet nuk duhet të ndërhyjë në punën tuaj. Kushdo deputet që ndërhyn tek ju nuk do të mund të ketë asnjë tolerim. Ju keni detyrën t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej çdo deputeti, por për çdo rast që ndërhyn në kryerjen e detyrës suaj deputetin ta drejtoni tek unë. Ndërhyrja është e papranueshme.’- shtoi Balla.

 

Ai premtoi mbështetje financiare dhe strehimi për punonjësit e Policisë së Shtetit.

 

“Do kujdesem posaçërisht për rritje të standardit të jetesës së punonjësve të policisë. Që nga kushtet financiare, deri tek kushtet e strehimit. Mbështetja, për ata që krijojnë familje të reja, apo që punojnë jashtë vendbanimit”, tha Balla gjatë fjalës së tij.

 

“Nga nesër nisim trajtimin e çështjes se banimit për ata punonjës policie që jetojnë jashtë zonë së vendbanimit. Do të hapet aplikimi për 100 banesat e para”, tha Balla, i cili shtoi se për kriteret e aplikimit, do të jetë Ministria e Financave që do ti bëjë publike ato.

 

Balla shtoi Policia ende se ka kryer detyrën për atë që ndodhi në guroren e Krujës.

 

“Rraja me gjestin e tij të dorëheqjen, bëri detyrën karshi qytetarëve, duke u vetë-ndëshkuar moralisht. Policia e Shtetit ende se ka bërë detyrën e saj, për të vënë para drejtësisë autorët”, tha Balla.