Gjatë takimit të parë publik Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nuk ka kursyer as kritikat për drejtorin e përgjithshëm të policisë Muhamet Rrumbullaku mbi ngjarjet e ndodhura së fundmi në vend.

 

Balla thekson se ngjarja në Borizanë është një skenë e shëmtuar që ka një përmbajtje shumë domethënëse për Policinë e Shtetit se sa kapja autorëve të saj, pasi flet për tolerancën e papranueshme të policisë së asaj zone.

 

Ai tha se shkaqet e shkrirjes së komisariatit të Fushë-Krujës janë ende aty dhe në disa zona të tjera të vendit dhe për këtë gjë Balla ka kritikuar edhe drejtorin e përgjithshëm të policisë, ku thotë se syri i tij ka qenë miop dhe duhet të hapet menjëherë, sot, jo nesër.

 

“Por ajo skenë e shëmtuar në Fushë-Krujë ka një përmbajtje shumë më domethënëse për Policinë e Shtetit se sa kapja autorëve të saj.  Sepse ajo skenë flet për një situatë të mahisur më parë, nga toleranca e papranueshme e policisë së asaj zone, e cila nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë, duke u sjellë si e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët. Shkrirja e komisariatit të Fushë-Krujës ishte përgjigja e duhur ndaj një dështimi shumë më të gjerë dhe më të thellë, se sa gurorja e konfliktit që e nxorri dështimin në sipërfaqe.

 

Shkaqet e atij dështimi janë ende aty dhe nuk janë vetëm në Fushë-Krujë, po edhe në disa zona të tjera periferike të vendit, ku syri i drejtorisë së përgjithshme ka qenë miop dhe duhet të hapet menjëherë, sot, jo nesër.

 

Qytetarët janë jo vetem arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, po janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike dhe asaj private. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore ndaj të fortëve të lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, jane rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.

 

Në territorin e kësaj republike nuk mund të ketë feude ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve, në çdo komunitet të Shqipërisë duhet të ketë rend ligjor dhe siguri për të gjithë, nën kujdesin dhe me garancinë e Policisë së Shtetit”, tha Balla