Opozita në Kosovë e cilëson si akt papërgjegjshmërie veprimin e Albin Kurtit, i cili refuzoi ftesën e kryeministrit Rama për të marrë pjesë në takimin informal të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

 

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në një status në rrjetet sociale shkruan se sjellja e tij është fëmijërore dhe politikisht e papërgjegjshme.

 

Sipas saj, një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë nuk është më e rëndësishme se takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë.

 

“Fëmijërore dhe politikisht e papërgjeshme sjellja e Kryeministrit Kurti.  Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë se sa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në dasëm familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të Procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu. Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karshi Kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën”, shkruan Çitaku.

 

Ndërkohë ish-ministri i Jashtëm Anton Berisha thotë se nuk beson që ka patur e mund të ketë një Kryeministër kaq të papërgjegjshëm e kaq cinik.

 

Ai thekson se Kurtit nuk i intereson bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe integrimi evropian.

 

“Në Kretë, sipas qeverisë paska konferencë përderisa në Tiranë ka një drekë, prandaj më i mençuri i Kryeministave të rajonit, Albin Kurti nuk humb kohë sikurse kolegët e tij! E vërteta, është se atij as nuk i intereson bashkëpunimi brenda shqiptarëve as nuk i intereson integrimi europian, prandaj me lehtësi refuzon takimin e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit. Nuk besoj që ka patur e mund të ketë një Kryeministër kaq të papërgjegjshëm e kaq cinik, çfarë e ka Kosova aktualisht”.

 

Lajmin për mospjesëmarrjen e Kurtit, e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili theksoi se Kurti nuk mund të marrë pjesë pasi muaj më parë kishte konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.