Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut diskutoi sot pr/ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë të studentëve që ndjekin programin Mjekësi e Përgjithshme në institucionet publike shqiptare, ku mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi kërkoi në Komision që të dëgjohen studentët

 

Kërkesën Çupi e bëri në emër të opozitës duke i kërkuar kryetares së Komisionit që të thërrasë studentët në komision.

 

“Ne duhet të dëgjojmë studentët, jo qeverinë e mazhorancën se boll i kemi dëgjuar me arrogancën e tyre. Ka një tabelë ku thuhet se do të ketë datë për konsultim me grupet e interesit. Por kjo datë është bosh. Me kë jeni konsultuar kur nuk jeni konsultuar me studentët?!  Kërkoj  të dëgjohen studentët, boll e kemi dëgjuar arrogancën e qeverisë”,  u shpreh deputetja Çupi.

 

“Ne si opozitë duam që studentët, fëmijët tanë të dëgjohen sepse po flasim për fatin e tyre”, tha Çupi.

 

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, vuri theksin tek mungesa e kohës, pasi sipas saj ligji kalon me procedurë të përshpejtuar për shkak të urgjencës dhe do krijonte vonesa thirrja e tyre.