Kryetari i grupit të Rithemelimit, Sali Berisha dhe kryetarja e Komisionit të Auditit për paratë ruse në Partinë Demokratike, Ledina Mandia kanë publikuar sot rezultatet e këtij auditi dhe kanë dalë në përfundimin se nuk ka prova që të vërtetojnë se ka pasur para të paligjshme në PD.

 

Duke folur për financimin rus të Bashës, Berisha theksoi se konkluzioni i raportit tonë është se PD nuk ka në arkën e saj një qindarkë të hyrë apo të dalë.

 

“Raporti ynë nuk ka asnjë element të ri krahasuar me dosjen e prokurorisë që hetoi dhe mbylli Edi Rama. Ne nuk kemi gjë të re, kemi vetëm këtë fakt, që PD nuk ka në arkën e saj një qindarkë të vetme të hyrë apo të dalë për 500 mijë dollarë të paguar nga Biniatta Trade, një kompani e zbulimit rus në Skoci, në emër të PD-së. Nuk ka. Ky është konkluzioni i raportit tonë. Këtë e ka ditur Prokuroria, e ka dosja e prokurorisë, por Prokuroria, e cila e vuri nën akuzë Lulzim Bashën për larje parash, e mbylli dosjen dhe mori peng Bashën”, tha Berisha.

 

Po ashtu Berisha foli edhe në lidhje me kandidatët e propozuar nga Partia Demokratike e drejtuar nga Alibeaj. Ai tha se kandidatët e Alibashës dhe Lulzim Bravës janë kandidatë të Edi Ramës

 

“Ata nuk kanë asnjë lidhje me PD-në. Ata janë vegla që i përdor Basha dhe Rama kundër pluralizmit. PD do triumfojë, nuk ka asnjë mëdyshje. Koha provoi në mënyrë profetike rëndësinë e misionit të demokratëve në përmbysjen e monizmit në Shqipëri. Këto i kanë kuptuar të gjithë. Kandidatët e Edi Ramës, janë një apo dy, vijnë tërësisht nga bota e mafies, e cila kërkon të shpëtojë sistemin monist që ka vendosur”, u shpreh Berisha.