Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur ditën e sotme një konferencë të posaçme për shtyp ku ka folur mbi shpalljen “non grata”.

 

Përsa i përket shpalljes “non grata” nga SHBA, Berisha thotë se nuk mund të paraqesë një raport të tillë pasi shprehet se DASH nuk ka paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument për marrjen e këtij vendimi.

 

Gjatë fjalës së tij, ai tha se nëse paraqitet një provë e vetme kundër tij, ai do të largohet nga politika.

 

Ndër të tjera, ish-kryeministri theksoi se këto materiale po i publikon që çdo shqiptar të kuptojë se çfarë po ndodh me kombin e tij.

 

“Unë në këtë raport kam paraqitur të gjitha këto dokumenta. Këtë raport do e quaj raportin e transparencës. Për fat të keq nuk mund ta bëj këtë për vendimin e DASH, pasi dy vite pasi është marrë ky vendim, DASH nuk ka paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument, përfshi këtu kongresmenë amerikanë dhe media të rëndësishme të SHBA. Në faqen e këtij raporti paraqiten të gjitha të vërtetat. Nga errësira vjen dritë. Korrupsioni transnacional del në dritë me fakte tronditëse për shkallën dhe nivelin e korrupsionit që qëndron pas këtij vendimi.

 

Qëllimi i këtij raporti nuk është pafajësia ime, pasi këtë pafajësi e ka provuar periudha dyvjeçare, gjatë së cilës kryediplomati i botës nuk nxori asnjë fakt, provë apo dokument. Kjo nuk ndodhi sepse po e kursejnë Sali Berishën, por sepse nuk ka asnjë të vërtetë në atë vendim. Sfida ime është e hapur: paraqisni një provë të vetme dhe unë largohem nga politika. Pse i paraqesim këto materiale këtu? Këtë material po e publikoj se çdo shqiptar duhet të kuptojë se çfarë po ndodh me kombin e tij”, tha Berisha.