Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur programin e ri kufitar. Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ishte në Qafë Thanë ku edhe u takua me homologun e tij Dimitar Kovaçevski.

 

 

Gjatë këtij takimi i prezantua edhe nisma “One stop shop” mes dy vendeve.

 

“Shqipëria këtë vit po përjeton një impakt të jashtëzakonshëm të transformimit të imazhit të saj. Fluksi i turistëve dhe numri i investitorëve të mëdhenj, së bashku me shqiptarë të diasporës apo edhe ata që banojnë në Shqipëri është inkurajues. Zhvillimi mëtejshme dhe rritja e dëshiruar e industrisë së turizmit, kërkojnë një qasje komplekse”, tha Rama.

 

 

Më tej Rama foli për fillimin e procesit, ku tha se ka pasur shumë skeptikë dhe përqeshës, por tani Shqipëria po fiton mbështetjen e Bashkimit Evropian, falë punës së arritur.

 

“Ka pasur shumë skeptikë dhe përqeshës kur nisëm këtë proces. Ndërkohë rezultatet flasin çdo ditë e më mirë për një proces si ky. Ta bëjmë hapësirën mes nesh si një hapësirë e BE që ne presim të integrohemi. Në lodhje me Korridorin 8, I ka ardhur dita të realizohet dhe në dyja anët e kufirit po punohet në terren për ndërtimin e tij. Kemi dy kantiere të hapura dhe jemi në pritje të dy të tjerëve. Kemi bërë shumë përpjekje për rizgjimin e këtij projekti, si pjesë e një të shkuare si rruga Egnatia. Ka qenë e vështirë dhe më në fund ia kemi dalë dhe kjo na jep një energji pozitive dhe burim mbështetje nga BE. Të mos harrojmë dhe Korridorin blu, ku jemi duke punuar intesivisht. Më e mirë është para për Shqipërinë de Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Kryeministri.