Kroçera “La Belle De L’Adriatique” po vijon të sjell në Portin e Durrësit turistë nga vende të ndryshme të cilët çdo ditë e më shumë po zgjedhin për të eksploruar dhe kaluar pushimet në vendin tonë.

 

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se dje kanë mbërritur 142 turistë, kryesisht francezë, të cilët në turin e tyre ditor do të njihen nga afër me destinacionet turistike e historike të Durrësit, Krujës e kryeqytetit.

 

Për gjatë këtij 6 mujori, mbi 240,000 pasagjerë dhe 95,036 automjete kanë udhëtuar nga dhe drejt Portit të Durrësi.

 

Referuar të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, 111,395 pasagjerë janë regjistruar në hyrje dhe 127,784 në dalje, ose në total, 15,881 pasagjerë më shumë se 6 mujori i parë i vitit paraardhës.

 

Muaji qershor reflekton një rritje të konsiderueshme në masën 13% sa i përket transportit të pasagjerëve me tragete nga ku janë përpunuar rreth 50,000 pasagjerë dhe 18,670 automjete, respektivisht 5,650 pasagjerë dhe rreth 10,430 automjete më shumë, në raport me qershorin e vitit të kaluar.

 

Ndërkohë që me çeljen e sezonit veror, ka nisur edhe aplikimi i masave shtesë të shërbimeve në terminalin e trageteve për përballimin e fluksit progresiv në hyrje-daljet e udhëtarëve, të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga subjektet private në sektorin e udhëtarëve./ATSH