Niveli i kredive me probleme për mikrofinanën shënoi rritje.

Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, niveli i kredive me probleme u rrit në një vit në 13.9%, nga 13.2% që ishte një vit më parë.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e totalit të kredive me probleme për subjektet financiare jobanka (rreth 85% e saj) është ndikuar kryesisht nga veprimet e subjekteve Final dhe Micro Credit Albania, të cilat gjatë vitit 2023 kanë trajtuar volume të konsiderueshme të kredive me probleme, të blera nga bankat dhe institucionet e tjera.

Për vitin e kaluar, shoqëria Micro Credit Albania shënoi një rritje të ndjeshme të portofolit të mikrokredisë, me 0.53 miliardë lekë. Në vitin 2022, kjo shumë qëndronte në zërin “Të tjera të arkëtueshme”, si kredi me probleme të blera, por të patrajtuara nga subjekti.

Në mënyrë të ngjashme, edhe subjekti Final, gjatë vitit 2023, ka transferuar një pjesë të kredive me probleme që kishte blerë nga subjektet e tjera (0.43 miliardë lekë), nga zëri “Të tjera të arkëtueshme” në klasat përkatëse të portofolit të mikrokredisë.

Riklasifikimi i kredive të këtyre subjekteve ka ndikuar rrjedhimisht edhe në rritjen e raportit të kredive me probleme të sektorit.

Pavarësisht rritjes së raportit të kredive me probleme, institucionet financiare jobanka që ushtrojnë veprimtaritë e kreditimit kanë gjeneruar një rezultat pozitiv neto prej pothuajse pesë miliardë lekësh. Krahasuar me vitin paraardhës, vlera e fitimit neto është rritur me më shumë se 84%./ata