Finalizohet faza e shtatë e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, ndërsa janë sekuestruar 3491 bimë në fshatrat Shllak, Temal dhe Vau i Dejës.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në terren ndodhen 100 efektivë, si dhe 6 dronë.
NJOFTIMI I POLICISE
Në operacion: 100 forca policore të Komisariateve të Policisë Shkodër, Vau i Dejës dhe Malësi e Madhe, si dhe 6 dronë. Gjatë kontrollit masiv të territorit, në të gjithë qarkun, janë evidentuar me anë të dronëve dhe goditur 6 raste të kultivimit të bimëve narkotike. Gjenden dhe asgjësohen në total 3491 bimë narkotike cannabis sativa. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këto veprimtari.
Shërbimet e DVP Shkodër dhe të Komisariateve në varësi të saj, në zbatim të detyrave dhe planit operacional për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe prodhimit të narkotikëve, kanë intensifikuar kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike. Në kontroll janë angazhuar 100 punonjës policie të cilët kanë përdorur 6 dronë të Policisë, për kontrollin e zonave malore.
Në kuadër të kësaj faze, u asgjësuan në total 3491 bimë narkotike cannabis sativa, prej të cilëve: 304 bimë në Pult dhe Theth, Shkodër; 1021 bimë në fshatin Rrapsh, Malësi e Madhe; 2166 bimë në fshatrat Shllak dhe Temal, Vau i Dejës. Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra”, vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.