Kryetari i Komitetit të Përbashkët Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, eurodeputeti i Demokracisë së Re, Manolis Kefalogiannis, ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

 

Të mërkurën, më 19 korrik, ai do të kryesojë një mbledhje të Komitetit të përbashkët BE-Shqipëri, ku do të diskutohet për rrugën e anëtarësimit të vendit në BE. Më pas ai do të vizitojë qytetin e Himarës dhe kryetarin e zgjedhur të saj, Fredi Beleri, i cili po mbahet në paraburgim në një burg të Tiranës, për t’u informuar “për çështjen e pronave dhe shpronësimet e pronave të banorëve të bashkisë.”

 

 

Në mbledhjen e Komitetit të Përbashkët BE-Shqipëri marrin pjesë 28 eurodeputetë, si dhe 28 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Çështjet që do të diskutohen kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri, lirinë e medias, luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe mbrojtjen e minoriteteve.

 

Anëtarët e Komitetit të Përbashkët do të kenë takime me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, ministrin e Brendshëm të vendit, përfaqësues të partive opozitare dhe ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së në Shqipëri.

 

Sipas një njoftimi lidhur me vizitën, “pasi Parlamenti Europian votoi amendamentin për paraburgimin e padrejtë në vazhdim të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, çështja do të diskutohet edhe gjatë takimit të Manolis Kefalogiannis me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë dhe zyrtarë të qeveria shqiptare”.