Hakmarrje politike e Edi Ramës e ka cilësuar ish-kryeministri Sali Berisha arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
Berisha tha se akuzat ndaj Belerit janë të manipuluara, ndërsa akuzon dhe drejtorin e policisë së Vlorës.
“Është një veprim i verbër politik, hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës ndaj një kandidati të opozitës me manipulime me angazhim të një manipulatori dhe një ish bashkëpunëtori të bandave që drejton sot policinë e Vlorës dhe që quhet Ermal Muça. Ky ka qenë bashkëpunëtor i bandës së Shullazit dhe bandat e tjera. Unë dënoj aktin, dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt të shit-blerjes së votë kudo që kjo të ketë ndodhur. Dua të informoj qytetarët shqiptarë se janë qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj tokave të Himarës, shtytësi i vërtet i këtyre akteve që po ndodh në Himarë. Përdorimi i dhunës është një akt inekstremis për të trembur zgjedhësit. unë kam qenë në Dropull dhe kam gjetur klimë terrori ku policia u bënin presion qytetarëve që të mos votonin kandidatin Thanas Manekën, por të votonin kandidatin e Ramës”,-tha Berisha.