Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me banorët e Matit i ka kërkuar edhe njëherë SPAK-ut të sekuestrojë pasuritë e të dënuarve për korrupsion.

 

 

Sipas Bashës, “sot është koha të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani”, për të kuptuar nëse e justifikojnë apo jo.

 

“Dosja e Inceneratorëve – afera korruptive e shekullit, që u kushtoi shqiptarëve 430 milionë euro, tregoi se si qeveria vepronte si grup i strukturuar kriminal”- tha Basha, duke theksuar se kjo është vetëm njëra nga shumë aferat që presin vendimin e drejtësisë.

 

 

“Sot është e qartë, ata që duan monopol mbi politikën, median, ekonominë, ata që duan që Shqipëria të mbetet në duart e tyre, janë bashkë kundër vetting-ut, janë kundër llogaridhënies për pasuritë e tyre dhe lidhjet me krimin, që i përdorin në çdo palë zgjedhje.

 

Sot është koha të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani. Të shohim a i justifikojnë apo jo?

 

Ndiq paranë, por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo!

 

Dosja e Inceneratorëve – Afera korruptive e shekullit, që u kushtoi shqiptarëve 430 milionë euro tregoi se si qeveria vepronte si grup i strukturuar kriminal. Por kjo është vetëm njëra nga shumë aferat që presin vendimin e drejtësisë.

 

Është i domosdoshëm mirarimin i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK, jo vetëm për dënimin e korrupsionit, por edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera.

 

Duhet nisur menjëherë me:

 

-Hetimin e mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike;

 

-Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare;

 

-Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë deri tek kryeministri;

 

-Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë duhet t’u kthehen shqiptarëve.

 

Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare dhe pa asnjë diskutim i takon të rikthehet në vendin që i ka dhënë historia dhe shqiptarët, sigurisht në një aleancë të fortë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE.

 

Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Sot është koha që bashkë me shqiptarët, të majtë e të djathtë, t’i japim fuqi votës dhe zërit të qytetarëve përmes listave të hapura, vetting-ut në politikë, kufizimit të mandateve e votës së emigrantëve. Për këtë ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi duke kërkuar edhe referendum”– tha Basha.