Këtë të premte është zhvilluar mbledhja e parë e këshillit bashkiak Kukës pas skandalit të ish-kryetarit të Bashkisë Kukës, Safet Gjici, i cili u shfaq në një video duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e tij.

 

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Albert Muja në fjalën e tij kërkoi ndjesë dhe tha që bashkia duhet të vijojë punën dhe se ky episod tashmë i përket së kaluarës. Në mbledhje ishte i pranishëm dhe deputeti i PS, Pandeli Majko.

 

Ndërkaq, Fasli Gërmizi, ishte i vetmi këshilltarë që kundërshtoj fjalën e kryetarit të këshillit, dënoi krimin e turpshëm të Safet Gjicit dhe kërkoi dorëheqjen e të gjithë këshilltarëve, përfshi kryetarit aktual.

 

“Ngjarja është shumë e rëndë. Kjo që ndodhi është një kujtesë publike se ne jemi zgjedhur prej komunitetit të Kukësit për ti shërbyer interesave të tyre. Me aktin e dorëheqjes sot politikës këtu në Kukës i ka ngelur pak për të thënë. Një ngjarje që Kukësi dhe kuksianët nuk e meritonin. Ka nisur një proces nga drejtësia dhe le të thotë ajo fjalën e saj” deklaroi Muja.

 

Gjatë mbledhjes së këshillit u vendos që nënkryetari Granit Gjana të   ushtrojë funksionin e kryetarit të Bashkisë Kukës.