Zjarret në periferi të Athinës vazhdojnë edhe ditën e sotme, ku autoritetet po përgatiten për një valë të re të nxehti që do bëhet shkaktare e më shumë zjarreve në vend.

 

 

Që në ditën e parë avionë me ujë kanë nisur operacionin mbi qytetin Mandra, në perëndim të Athinës dhe Lutraki, afër kanalit të Korintit që ndan Greqinë kontinentale nga Peloponezi. Zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës për të mbajtur flakët larg një kompleksi rafinerish bregdetare.

 

Katër avionë të dërguar nga Italia dhe Franca do t’i bashkohen përpjekjeve ditën e sotme, thanë autoritetet.

 

 

Brigada e zjarrfikësve njoftoi se një zjarr i tretë ka shpërthyer në ishullin Rodos.

 

Dhjetëra shtëpi u shkatërruan dhe qindra u detyruan të largohen nga flakët e tmerrshme që u ndezën nëpër fshatra të martën. Trafiku është ndërprerë për orë të tëra në dy rrugë që lidhin vendin me Peloponezin. Ato u rihapën pjesërisht sot herët në mëngjes.

 

“Rreziku i zjarrit është i lartë në të gjithë vendin. Ne mbetemi në një nivel të lartë gatishmërie”, tha zëdhënësi i brigadës së zjarrfikësve Vassilis Varthakogiannis.

 

Shërbimi meteorologjik grek ka paralajmëruar për një rrezik të lartë zjarresh këtë javë, pikërisht në kohën kur vendi po rimëkëmbet nga vala e parë e madhe e të nxehtit të verës. Një valë e dytë e të nxehtit parashikohet të nisë të enjten.

 

“Kushtet janë ekstreme dhe ka të ngjarë të jenë të tilla për një javë tjetër,” tha Kostas Tsigas, kreu i shoqatës së oficerëve të zjarrfikësve, për Skai TV të Greqisë.

 

Zjarri, i cili shpërtheu të hënën në rajonin e Dervenohoria, rreth 30 km në veri të Athinës, u përhap me shpejtësi pasi u ndez nga erërat e paqëndrueshme dhe arriti në Mandra të martën, duke djegur shtëpi dhe duke detyruar njerëzit të iknin.

 

Pamjet e publikuara nga policia greke treguan oficerët duke iu lutur një grupi murgeshash që këndonin himne që të evakuoheshin nga një manastir dhe disa pamje të tjera tregonin policët që bërtisnin “le të shkojmë” ndërsa flakët e tmerrshme u përhapën në një oborr druri.

 

Rajoni më i gjerë ka pasur përvojë të hidhur të mëparshme me fatkeqësitë natyrore. Në vitin 2017, Mandra, një zonë kryesisht industriale, u godit nga përmbytjet që vranë 24 njerëz. Një vit më vonë, 101 njerëz vdiqën në qytetin bregdetar të Matit, në lindje të Athinës, pasi një zjarr shkatërroi qytetin brenda pak orësh.