Me mijëra aktivistë serbë po mblidhen vazhdimisht në Beograd për të protestuar kundër ndërtimit të një miniere litiumi që ka në plan qeveria për të nxitur ekonominë e vendit.

Tubimi i organizuar nga grupi Eco Guard është më i fundit në një sërë protestash të lidhura me minierën e litiumit të propozuar nga kompania Rio Tinto, një projekt që qeveria e Serbisë e ka përshëndetur si një moment historik për ekonominë e vendit, por që aktivistët dhe vendasit thonë se do të shkatërronte rajonin e Luginës së Jadarit, që shtrihet mbi depozitën më të madhe të këtij minerali në Europë.

“Kjo protestë ka një mesazh të qartë politik: nuk do të ketë minierë litiumi”, tha Savo Manojlovic, aktivist që organizoi bllokada të mëdha në vitin 2022, që e detyruan qeverinë të anulonte projektin e minierës.

“Ne duhet të qëndrojmë pranë kujtdo që mbron luginën e Jadarit”.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, pasi fitoi zgjedhjet me polemika në dhjetor dhe maj, e ringjalli planin këtë vit. Në korrik, ai mori mbështetjen e udhëheqësve të BE-së, duke përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz, dhe kompanive të mëdha europiane të automobilave, si Mercedes-Benz, Volkswagen dhe Stellantis.

Litiumi është një përbërës kyç i baterive për automjetet elektrike dhe qeveria serbe pret që miniera të rrisë me 10 deri në 12 miliardë euro PBB-në vjetore të vendit, e cila arriti në 64 miliardë euro në vitin 2022.

Kjo do të siguronte një nxitje shumë të nevojshme për ekonominë serbe, ku PBB-ja për frymë, ishte më pak se 50% e mesatares së BE-së në vitin 2023.

Pavarësisht përfitimeve të mundshme ekonomike, ka kundërshtime të mëdha publike ndaj këtij projekti.

Së fundmi, me dhjetëra mijë veta u mblodhën në Beograd dhe në mbarë vendin, për të kundërshtuar këtë projekt që disa ekspertë thonë se do të shkaktonte dëme të mëdha mjedisore dhe trazira për njerëzit që jetojnë aty pranë.

Disa nga aktivistët pushtuan stacionet e trenave në Beograd, duke u munduar të përsërisnin bllokadën e autostradave kryesore dhe urave që e detyruan qeverinë të hiqte dorë nga projekti në vitin 2022.

Edhe pse nuk pati raportime për arrestime, që nga fillimi i protestave, dhjetëra organizatorëve u janë bastisur shtëpitë nga policia dhe janë akuzuar për dhunim të rendit kushtetues, një krim që mbart një dënim deri në 15 vjet burg.

“Ne duhet të mbrojmë të gjithë aktivistët që po luftojnë për tokën, ujin, ajrin, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, tha Eco Garda në protestën e fundit.

“Përndjekja e aktivistëve është një kërcënim për të drejtat themelore të njeriut dhe vjen nga i njëjti burim që rrezikon mjedisin në Serbi. Çdo mosbindje civile do të dënohet me vepra të rënda penale të pabaza, nëse nuk e ndalojmë këtë”.

Zyra e prokurorit serb, që mbikëqyr mënyrën si është marrë policia me protestat, nuk ishte e disponueshme për koment.

Serbët janë të ndarë në lidhje me përfitimet e minierës së litiumit. Disa aktivistë që përfshijnë grupe ekologjike, paralajmërojnë për rreziqet ndaj mjedisit.

Kompania Rio Tinto është përplasur gjithashtu me shkencëtarët e mjedisit, të cilët kanë pohuar se projekti mbart rreziqe të panevojshme.

Ekonomisti Aleksandër Matkoviç, i cili botoi një ese duke dhënë argumente kundër ndërtimit të minierës, ka marrë kërcënime me vdekje, të cilat u ndalën vetëm pasi ai foli publikisht dhe policia u detyrua të hetonte rastin.

“Vuçiç me siguri i sheh automjetet elektrike si kusht për vazhdimin e regjimit të tij autoritar”, u shpreh Matkoviç në ese. “Këtu kemi një shkrirje midis tranzicionit të gjelbër dhe autoritarizmit… duke hapur dyer të reja për neokolonializmin”.

Aleksandra Bulatoviç, aktiviste dhe profesoreshë e së drejtës penale, e cila u mor në pyetje nga policia për më shumë se tri orë, tha se policia kishte arrestuar aktivistë që thjesht kishin bërë thirrje në mediat sociale për të bërë qëndresë kundër ngritjes së minierës.

Bulatoviç tha se Beogradi nuk kishte asnjë provë konkrete për ndonjë komplot për të rrëzuar qeverinë.

Udhëheqësi i organizatës Eco Guard, Bojan Simišić, tha se Beogradi po ndiqte urdhrat e Perëndimit.

“Vuçiç është një vegël, – tha ai. – Perëndimorët e mbështesin atë në një krizë. Ne nuk kemi mbështetjen e asnjë ambasade. Asnjë mbështetje nga BE-ja. Asnjë mbështetje nga Perëndimi”.

Aktivistët këmbëngulin se do të vazhdojnë protestat “deri në fitore”. “Nuk do të ketë miniera”, shkruan ata në postimin e 15 gushtit. / Financial Times