Një shkencëtar i NASA-s ka paralajmëruar se kjo verë “do të jetë më e freskëta” për pjesën tjetër të jetës, ndërsa Evropa dhe SHBA-ja po përballen me valë të të nxehtit.

 

 

“Shumica e njerëzve ende nuk e dinë se në çfarë rreziku janë”, ka thënë Peter Kalmus në Twitter.

 

Kalmus bëri thirrje që përdorimi i lëndëve djegëse fosile të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, përpara se të sqaronte në një postim të mëvonshëm se “do të ketë gjithmonë ndryshime rajonale dhe ndërvjetore, por në një kuptim mesatar, tendencat e nxehtësisë nënkuptojnë se kjo do të jetë vera më e freskët për një kohë të gjatë”.

 

 

Ai tha gjithashtu se nëse bota dhe shoqëria “kalojnë në modalitetin e emergjencës klimatike”, do të ishte e mundur që planeti të fillonte të ftohet deri në fund të shekullit.

 

 

Që në fillim të korrikut, rekordet për temperaturën më të lartë mesatare në botë u thyen tri herë brenda një jave.

 

Rekordi i ri u vendos më 7 korrik, kur bota ishte për 0.31 gradë Celsius më e nxehtë sesa në gusht të vitit 2016, kur ishte vendosur rekordi i mëparshëm.