Alarmi i kuq për nxehtësinë ekstreme është në fuqi në shumicën e qyteteve kryesore të Italisë, ndërsa valët e të nxehtit intensifikohen në Evropë.

 

 

Temperaturat pritet të arrijnë kulmin sot, me 23 qytete në gatishmëri të lartë, nga Trieste në veri-lindje deri në Messina në jug-perëndim.

 

Paralajmërimet nënkuptojnë se nxehtësia përbën një kërcënim për të gjithë. Zjarret po shpërthejnë gjithashtu në të gjithë kontinentin, duke përfshirë Greqinë dhe Alpet Zvicerane. Miliona njerëz në hemisferën veriore po preken nga temperaturat përvëluese.

 

 

Nxehtësia parashikohet të zgjasë deri të mërkurën në pjesën më të madhe të Evropës jugore, pas disa ditësh temperaturash mbi 40 gradë.

 

Sipas BBC Weather pjesë të ishujve italianë të Sardenjës dhe Sicilisë do të jenë sërish më të nxehtit, me temperaturat maksimale rreth 46 ose 47 gradë Celsius.

 

Vala e të nxehtit, e cila ka përfshirë të gjithë Italinë, është përshkruar nga mediat italiane si  “java e ferrit”.

 

Ministria italiane e shëndetësisë u ka kërkuar dhomave të urgjencës në të gjithë vendin që të aktivizojnë të ashtuquajturat “kodet e nxehtësisë”, duke caktuar një grup të veçantë të personelit mjekësor për të trajtuar njerëzit që vijnë me simptoma të shkaktuara nga vapa.

 

Masa të ngjashme u morën në fillim të vitit 2020, kur Italia u bë epiqendra e pandemisë Covid në Evropë.

 

Sipas ministrisë së shëndetësisë, ka pasur një rritje prej 20% të numrit të pacientëve që pranohen me simptoma të lidhura me nxehtësinë, si dehidratim, rraskapitje, goditje nga nxehtësia dhe konfuzion.

 

Një temperaturë e re rekord e lartë prej 41.8 gradë Celsius thuhet se është matur në kryeqytetin Romë të martën.

 

Si pasojë e kërkesës së lartë për ajër të kondicionuar, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike edhe në Palermo.

 

Alarmet e kuqe mbeten gjithashtu në fuqi në të gjithë Spanjën, Greqinë dhe disa pjesë të Ballkanit.

 

Temperaturat pritet të bien të enjten për shumë vende në Evropë, përfshirë Italinë veriore, ku alarmet e kuqe do të hiqen për gjashtë qytete.

 

Por Matt Taylor i BBC Ëeather thotë se temperaturat deri në 40 gradë do vazhdojnë të jenë dëri në fundjavë dhe në fundjavën tjetër në Mesdheun qëndror dhe lindor, gjë që potencialisht mund të jetë afër thyerjes së rekordeve.

 

Tunizia në Afrikën e Veriut gjithashtu pritet të regjistrojë 50 gradë Celsius në disa vende.

 

Agjencia e OKB-së për motin, Organizata Botërore Meteorologjike, ka paralajmëruar se vala e të nxehtit në Evropë mund të vazhdojë deri në gusht dhe se temperaturat ekstreme që përfshijnë globin janë normalja e re në një botë të ngrohur nga ndryshimet klimatike.

 

Në Greqi, stafi në Akropolis në Athinë, një nga atraksionet kryesore turistike të Greqisë, do të ndalojë punën për katër orë në ditë nga e enjtja në shenjë proteste ndaj kushteve të punës gjatë vapës, tha një sindikatë që përfaqëson punëtorët e saj.

 

Vendi antik, i cili ka parë një rritje të madhe të numrit të vizitorëve në muajt e fundit, normalisht është i hapur nga ora 08:00 deri në orën 20:00 me orën lokale çdo ditë, por protesta do të bëjë që punëtorët të ndalojnë punën në orën 16:00.

 

Zjarret e shumta kanë përfshirë gjithashtu periferinë e Athinës që nga e hëna.

 

Ishulli spanjoll La Palma është shkatërruar nga zjarret, të cilat tani janë vënë nën kontroll falë temperaturave më të ulëta gjatë natës.

 

Zjarret shkatërruan rreth 3,500 hektarë (8,700 hektarë) tokë, dogjën rreth 20 shtëpi dhe ndërtesa dhe detyruan 4,000 banorë të evakuohen.

 

Temperaturat ekstreme kanë kapluar edhe pjesë të tjera të globit, përfshirë SHBA-në dhe Kinën.

 

Qyteti i Phoenix, Arizona, kaloi të martën 43 gradë Celsius për të 19-tën ditë radhazi, duke thyer rekordin e tij të të gjitha kohërave prej 18 ditësh radhazi.

 

Në Kinë, Pekini ka regjistruar një rekord 27 ditësh të temperaturave mbi 35C (95F).

 

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej kohësh se ndryshimi i klimës do t’i bëjë valët e të nxehtit më të shpeshta, më intensive dhe do të zgjasin më gjatë në kohëzgjatje.

 

Ekspertët thonë se Evropa në veçanti po ngrohet më shpejt se sa parashikonin shumë modele klimatike.

 

Më shumë se 61,000 njerëz kenë vdekur nga të nxehtit në Evropë vitin e kaluar dhe ekziston që numri i të vdekurve mund të jetë më i lartë.