Duke iu përgjigjur vendimit të përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi çështjen e gjenocidit të parashtruar nga Afrika e Jugut kundër Izraelit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu theksoi "përkushtimin e shenjtë për të vazhduar mbrojtjen e vendit dhe popullit".

“Angazhimi i Izraelit ndaj ligjit ndërkombëtar është i palëkundur. Njëlloj i palëkundur është angazhimi ynë i shenjtë për të vazhduar të mbrojmë vendin tonë dhe të mbrojmë popullin tonë", tha Netanyahu në një fjalim televiziv pasi gjykata e OKB-së urdhëroi Izraelin që "të marrë të gjitha masat brenda fuqisë së tij" për të parandaluar aktet e gjenocidit në Gaza, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 26 mijë njerëz dhe e ka shndërruar territorin në gërmadha.

Netanyahu tha se Izraeli ka një "të drejtë të natyrshme për të mbrojtur veten", duke shtuar se "përpjekja e turpshme për t'i mohuar Izraelit këtë të drejtë themelore është diskriminim flagrant kundër shtetit hebre dhe me të drejtë u refuzua".

Ai tha se akuzat për gjenocid të ngritura kundër Izraelit janë "të rreme", duke përsëritur se "Izraeli do të vazhdojë të mbrohet kundër Hamasit".

Kryeministri izraelit tha se lufta, e cila filloi pas sulmit ndërkufitar të Hamasit të 7 tetorit, është kundër grupit dhe jo kundër civilëve palestinezë.

"Ne do të vazhdojmë të lehtësojmë ndihmën humanitare dhe të bëjmë çmos për t'i mbajtur civilët jashtë rrezikut, edhe pse Hamasi përdor civilët si mburoja njerëzore", tha ai, duke shtuar: "Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur vendin tonë popullin tonë”./aa