Për ata që kanë nevojë të marrin gjak, por edhe për çdo qytetar që dëshiron të dhurojë gjak, për të shpëtuar një jetë, procedurat do të jenë më të shpejta, më të lehtësuara e më të sigurta, ç’ka është shumë e rëndësishme kur flitet për shpëtim jetësh njerëzore.

 

Sistemi i ri elektronik i Bankës së Gjakut, i krijuar nga AKSHI në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, si një kërkesë për politika shëndetësore dhe praktika mjekësore moderne, do t’u mundësojë dhuruesve, duke nisur nga sot (fillimisht në Tiranë, Elbasan, Berat dhe Korça për t’u shtrirë shumë shpejt në të gjitha qarqet e vendit) të rezervojnë online në e-albania kohën dhe vendin e dhurimit të gjakut, si dhe të informohen në kohë reale për nevojat emergjente për dhurim, sipas grupit përkatës së gjakut. Ky sistem do të ndihmojë, mbi të gjitha, mjekët në menaxhimin e kërkesave dhe nevojave për Bankat e Gjakut, për t’i siguruar pacientëve shërbim cilësor dhe të shpejtë dhe shumë më të sigurtë. Çdo qese gjaku që futet në bankë pajiset me barcode dhe sistemi garanton sigurimin e automatizimit të plotë të ruajtjes, procesimit, marrjes dhe analizimit të informacionit, që lidhet me menaxhimin administrativ dhe inventarizimin e gjakut dhe produkteve të tij në të gjitha bankat e gjakut në Shqipëri.

 

Për t’i dhënë një tjetër mundësi zgjerimit të rrjetit të dhuruesve vullnetarë, teknologjia tashmë mundëson që bankat të shtojnë rezervat e tyre edhe falë njoftimeve elektronike që do t’u mbërrijë dhuruesve periodikë dhe të rinj, në profilet personale në portalin e-Albania, në raste të rënies së nivelit të depozitave të gjakut sipas grupeve të gjakut. Për dhuruesit do të sigurohet edhe një historik i kontributit dhe analizave të kryera që mund ta konsultojnë në çdo kohë, në llogarinë e tyre, në portalin e-Albania.

 

Si mund të rezervohet nëpërmjet e-Albania?

 

Përdoruesit zgjedhin shërbimin elektronik “Rezervim për dhurim gjaku për individë dhe subjekte”:

 

https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=14785

 

Aksesimi mundësohet për qytetar (për rezervim individual) ose, si biznes, në rastin kur rezervimi kryhet për një grup punonjësish të një institucioni, kompanie apo organizate.

 

Brenda pak sekondash aplikanti plotëson formularin elektronik duke zgjedhur vetë orarin, datën dhe Bankën e Gjakut.

 

Pas dërgimit të kërkesës për rezervim, elektronikisht mbërrin njoftimi për konfirmimin e kohës dhe vendit të planifikuar për dhurim.

 

Kush mund të dhurojë gjak?

 

Dhurues të gjakut mund të jenë të gjithë qytetarët, nga 18 deri në 65 vjeç, që ndihen plotësisht të shëndetshëm dhe që kalojnë testin e historisë së sëmundshmërisë përpara procesit.

 

Në rastin e planifikimit të dhurimit të gjakut si entitet (biznes, insitucion, organizatë), pra kur ofrohen të dhurojnë gjak më shumë se 10 persona, atëhere stafi i Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, do të vijë në mjediset e punës përkatëse

 

Për të garantuar sigurinë e gjakut të dhuruar, paraprakisht kryhen vizita mjekësore përfshirë edhe analizat specifike të gjakut. Në rast se qytetarët rezultojnë të shëndetshëm, atëherë ata kryejnë procesin e dhurimit të gjakut. Një dhurim i gjakut të plotë zgjat mesatarisht 15 minuta dhe dhuruesi arrin të kompensojë brenda 24 orësh të gjitha lëngjet e humbura nga dhurimi i gjakut. Një akt i thjeshtë, por me vlerë të jashtëzakonshme për jetën e dikujt tjetër.  Ndaj, kushdo që ka mundësi dhe është i shëndetshëm fizikisht mund të rezervojë tani online për të dhuruar gjak e për të shpëtuar e ndihmuar një familjar, mik, fqinj, koleg apo një të panjohur, në kohë të papritura e ditë të vështira. Dhuroni gjak! Shpëtoni jetë!