Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se 9 Njësitë e Lëvizshme të Asistencës Mjekësore në terren kanë dhënë shërbim për 5 mijë qytetarë, pushues dhe turistë gjatë ditëve të nxehta që përfshin vendin.

 

“Nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Berati, Gjirokastra e Shkodra mbi 5 mijë qytetarë e turistë kanë marrë shërbim në kohë në 9 Njësitë e Lëvizshme të Asistencës Mjekësore në terren, gjatë ditëve të të nxehtit ekstrem. Shëndeti i pari. Shëndetësia në gatishmëri”,  shkruan Manastirliu.

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në zbatim planin e Masave kundër valës së të nxehtit, në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik, Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Qendrën Kombëtare të Urgjencave Mjekësore dhe Njësinë Mjekësore të Ushtrisë.

 

Plani i masave për përballimin e valës së të nxehtit përmban: Vendosjen në gatishmëri të nëntë autoambulancave në zonat me fluks të lartë në qendrat e qyteteve për ardhjen në ndihmë të rasteve urgjente. Gjithashtu në shërbimin parësor, janë në funksion urgjencat pediatrike 24/7 në katër qendra në Tiranë. Ndërsa janë hapur 30 qendra shëndetësore verore në zonat bregdetare dhe malore.