Pogradec/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pokeri”.

 

 

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pogradec, për goditjen e organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit.

 

Procedohen penalisht 20 shtetas që ushtronin këtë veprimtari të paligjshme, nga të cilët 3 të arrestuar në flagrancë, 1 i shpallur në kërkim dhe 16 të tjerë në gjendje të lirë.

 

Shtetasi i shpallur në kërkim posedonte ambientin e përshtatur për organizimin e lojërave të palejuara.

 

Sekuestrohen një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, 4 celularë dhe shuma parash.

 

Në vijim të punës për kontrollin e territorit dhe të ambienteve të ndryshme, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pokeri”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

 

 

-A. P., 48 vjeç, banues në Pogradec;

 

-E. M., 30 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec;

 

-E. M., 29 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë.

 

 

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. V., 46 vjeç, banues në Pogradec, si edhe u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për 16 shtetas të tjerë.

 

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 3, Pogradec, në ambientin (magazinë) në pronësi të shtetasit K. V., të cilin ai e kishte përshtatur dhe vënë në dispozicion për organizimin e lojërave të palejuara, kapën 3 shtetasit e arrestuar duke e organizuar këtë veprimtari të kundërligjshme dhe 16 shtetasit e tjerë, duke luajtur poker.

 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, 4 celularë dhe shuma në lekë dhe euro, që dyshohet se ishte përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme. Nga ana e Policisë po vijon puna për kapjen e shtetasit K. V.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.