Policia ka rrestuar një 23-vjeçar në Dibër, pasi akuzohej për ‘moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit’.

 

Uniformat blu bëjnë me dije se bëhet fjalë për 23-vjeçarin, Indrit Belba, I cili më 6 qershor largoi me makinë 33-vjeçarin Ardi Aldedja, pasi ky i fundit tentoi të vriste me armë një person, pas një sherri banal.

 

Gjykata e Dibrës i ka caktuar 23-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

 

“Në vijim të kërkimeve dhe punës operacionale për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Dibër, vunë në pranga shtetasin I. B., 23 vjeç, banues në Peshkopi.

 

Gjykata e Dibrës i ka caktuar 23-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi akuzohet se më datë 06.06.2023, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka ndihmuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, një 33-vjeçar që tentoi të vriste me armë zjarri një 20-vjeçar, në qytetin e Peshkopisë, si dhe nuk ka kallëzuar për këtë krim”, tha policia.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.