Parlamenti zhvillon ditën e sotme seancën e fundit plenare ku në rendin e ditës janë parashikuar për diskutim dhe votim disa projektligje.

 

Rendi i ditës parashikon si ndër më të rëndësishmet projektligji për studentët e Mjekësisë dhe kanabisi për qëllime mjekësore.

 

Sipas projektligjit, studentët e Mjekësisë pas përfundimit të studimeve do të duhet të punojnë në vend për 5 vite në mënyrë që të marrin diplomën. Sipas qeverisë, kjo bëhet për të frenuar largimin nga Shqipëria të mjekëve të rinj. Një pjesë e studentëve e kundërshtojnë këtë nismë.

 

Për këto ligje, në parlament ka pasur jo pak kundërshtime nga opozita, grupet e interesit dhe kritika edhe në radhët e vetë mazhorancës.

 

Para parlamentit, seanca e fundit do të pritet me protesta nga studentët e mjekësisë. Paralel me protestat, ata kërkuan përmes një shkrese zyrtare, të dëgjohen të enjten në Kuvend.

 

Pas një sezoni të gjatë dhe me shumë zhvillime politike që kanë përfshirë edhe parlamentin, sot do të mbahet seanca e fundit plenare për këtë sezon, kështu deputetët do të marrin pushimet për t’u rikthyer në shtator.