Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha raporti sot në seancën plenare Kuvend për veprimtarinë e KMSHC për vitin 2023.

Strakosha u shpreh në fjalën e saj se. “gjatë këtij viti, në zbatim të kompetencave ligjore, Komisioneri ka vijuar punën në drejtim të mbikëqyrjes së administrimit të shërbimit civil, për të siguruar përmbushjen e qëllimit të ligjit, që është krijimi i një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike”.

Me këtë synim, theksoi ajo, “janë përfshirë në procesin e mbikëqyrjes të gjitha institutet e ligjit, por një fokus të veçantë ka pasur rekrutimi dhe disiplina në shërbimin civil, si dy aspekte që e tregojnë më së miri nivelin e zbatimit të ligjit”.

“Aplikimi i këtyre dy instituteve të rëndësishme të ligjit në praktikë po tregon arritje të dukshme në drejtim të vendosjes së kornizave procedurale, por nga ana tjetër, aty shfaqen edhe sfidat më të vështira dhe nevoja për të ndërhyrë herë pas here, si me vendime paralajmëruese, ashtu edhe me udhëzime, asistencë teknike, apo edhe nëpërmjet ndryshimeve ligjore. Komisioneri vlerëson se nevoja për një ndryshim të ligjit për nëpunësin civil është evidente dhe e domosdoshme”, tha Strakosha.

Strakosha nënvizoi se, “një arritje që duhet evidentuar që në fillim të raportimit për vitin 2023, është aplikimi i pjesshëm i reformës së pagave në sistemin e shërbimit civil, nga e cila përfituan rritje page institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura, çka e bëri më atraktiv punësimin në këto institucione”.

“Sfida për vitin 2024, është aplikimi i reformës së pagave edhe në administratën vendore, duke unifikuar në këtë mënyrë të gjithë sistemin e pagave në secilën tipologjii të institucioneve të shërbimit civil dhe njëkohësisht, duke ndërprerë përfundimisht fenomenin e emërimeve në kundërshtim me ligjin, në njësitë e vetëqeverisjes vendore”, tha ajo.

Komisionerja u shpreh se, “bashkëpunimi i Komisionerit me dy institucionet e rëndësishme të fushës së administrimit të shërbimit civil, të cilat janë: Departamenti i Administratës Publike dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, do të vijojë në nivele të larta, duke e orientuar këtë proces në zgjidhjen e problemeve që lindin gjatë administrimit të shërbimit civil; bisedimet për ndryshimet ligjore, si dhe në përmirësimin e kurrikulave dhe rritjen e nivelit të trajnimit të nëpunësve civilë”./ata