Shpërndante doza kanabisi në qytetin e Vlorës, kapet dhe vihet në pranga 28-vjeçari.
Sekuestrohen 500 doza kanabisi, automjeti që përdorte ky shtetas për të shpërndarë lëndën narkotike dhe aparati i tij celular.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 11”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi V. X., 28 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas është lokalizuar nga shërbimet e Policisë, ndërkohë që qarkullonte me automjet, në lagjen “11 Janari”. Gjatë kontrollit fizik ndaj 28-vjeçarit dhe kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 500 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe celularin e tij.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.