Policia ka vënë në pranga një 50-vjeçar serb në pikën kufitare të Morinës, pasi ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Gjermanisë.

 

Uniformat blu bëjnë me dije se bëhet për 50-vjeçarin serb me inicialet I.B., i cili pritet të ekstradohet drejt Gjermanisë.

 

Policia njofton se arrestimi i 50-vjeçarit erdhi si rezultat i bashkëpunimit mes Interpol Tirana me Interpol Berlin.

 

Mësohet se 50-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Gjermanisë, për falsifikim të dokumenteve dhe përvetësim të sendeve të vjedhura, kryer në formën e grupit kriminal.

 

“Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.

 

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Berlin, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht I. B., 50 vjeç, banues në Serbi.

 

Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 50-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Berlin, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i sendeve të vjedhura”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, në formën e grupit kriminal, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Gjermanisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 50-vjeçarit”, njofton policia.