Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot se 1100 punonjës të OSHEE-së janë në territor, në zonat bregdetare, për t’ju përgjigjur çdo problematike të paraqitur, për të siguruar furnizim me energji elektrike pa ndërprerje.

 

Në takimin për prezantimin e planit të masave për sigurimin pa ndërprerje të energjisë gjatë këtij sezoni veror, Balluku u bëri thirrje kryesisht biznesve për eficence në përdorimin e energjisë

 

Ajo u kërkoi operatorëve të OSHEE-së edhe marrjen e të gjitha masave për të shkëputur çdo lidhje të paligjshme të energjisë.

 

“Do të ndërpritet çdo lidhje energjie e paligjshme”, tha Balluku.

 

Balluku foli për një situatë të mirë hidrike në vend.

 

“Kemi disponibilitet të plotë të sasisë së nevojshme të energjisë. Moti i mirë gjatë muajve të mëparshëm na ka favorizuar dhe niveli në HEC-in e Fierzës është i mirë. Ky mund të konsiderohet ndër vitet më të mira sa i përket prodhimit. Sfida është e Operatorit të Transmetimit për tu përgjigjur çdo defekti për të siguruar furnizim pa ndërprerje”, tha Balluku.