Kryetari i Bashkisë së Tiranës thotë se kryeqyteti sot po jeton ditët e tij më të mira.

Në një intervistë në medie, Veliaj u shpreh se kur erdhi në krye të bashkisë, në qytet ishte bërë një dëm i paimagjinueshëm, por sot Tirana ulet në një tryezë me kryeqytetet e vendeve të mëdha europiane për shkak të transformimit që është bërë.

“Kur mendon ku e morëm, kur mendon që qyteti ishte në letargji, që kishte ngelur sahati që shumë prej infrastrukturës publike ishtë bërë një dëm i paimagjinueshëm, kur mendon që shkolla Kosova nuk ekziston dhe kur mendon që 40 shkolla të tjera që kanë transformuar atë që quhet fillimi i mbarës i qytetarisë në Tiranë, kur mendon 101 kopshtet dhe çerdhet them që jemi në ditët tona më të mira. Numri i turistëve ka qenë dicka e paparashikuar. Kryeministri ka punuar shumë, ka qenë një agjent i jashtëzakonshëm marketingu, secili prej nesh ka bërë të vetën po kjo është edhe përtej imagjinatës dhe dëshirës sonë, dhe ëndrrës tonë më të bukur. Kështu që të tilla halle pacim, por vërtetë mund të them që në 104 vite të Tiranës kryeqytet, po jetojmë ditët më të mira, ku prona vlen më shumë, qyteti ka një reputacion. Qyteti sot ulet me Parisin, ulet me Londrën, ulet me Stambollin dhe Athinën”, deklaroi Veliaj.

Ai kujtoi disa nga betejat që është i dashur të bëjë në krye të Bashkisë së Tiranës për transformimin e qytetit, duke theksuar se po të ishte përsëri para 9 vitesh do të bënte sërish të njëjtat gjëra. Veliaj theksoi se është e rëndësishme që gjeneratës së ardhshme t’i lihet një Tiranë me standarde europiane, si për vlerën e pronës, pastërtisë si dhe shkollat dhe çerdhet e ndërtuara në dekadën e fundit.

“Mbaj mend, ditën e parë në bashki kur kemi patur betejën për këndin e lodrave. Me pistoleta, me dhunë të njëjtët njerëz. Praktikisht është i njëjti grup mobil që më ka shoqëruar këto 9 vite të rrugëtimit. Nuk mbaj mend të kemi bërë një punë të mirë pa betejë. Betejë te Pazari i Ri, betejë te Sheshi Skënderbej, betejë te Bulevardi, betejë të Astiri, betejë te Kalaja, betejë te Liqeni, betejë te Sami Frashëri, betejë për Kosovën. Me sa duket disa punë në këtë vend, ose punët e mira në këtë vend duhet të kalojnë edhe le të themi ferrin e betejave. Nuk kam asnjë pishman, të isha përsëri para 9 vitesh do bëja përsëri të njëjtat beteja, sepse betejat nuk bëhen vetëm për ata që sheh dhe që bërtasin. Ndonjëherë duhet me pas vizionin që i bën disa gjëra jo për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme. Dhe unë besoj që gjeneratës së ardhshme, do t’i lemë një Tiranë ku prona vlen më shumë, ku pastërtia është primare dhe ku cerdhet, kopshtet dhe shkollat, janë të standardit europian”, deklaroi Veliaj./ata