Markat BENZ dhe Volkswagen janë më të pranishmet në rrugët e Shqipërisë. Benz ishte i pari i preferuari pas viteve ’90 për shkak të fortësisë së përshtatshme për rrugët e shkatërruara, ndërsa më pas filloi të preferohej Volkswagen si makinë ekonomike, por ndërkohë hynë dhe marka të tjera të shumëllojshme.

 

Sipas INSTAT, gjithsej në vend qarkullonin 116.204 autovetura të tipit Mercedes Benz, me 18.17% të totalit të autoveturave. Megjithatë, kjo markë duket se po bie nga “froni”, teksa po bëhen të preferuara makinat e vogla dhe ekonomike.

 

Në fund të vitit 2022 kishte 115.064 autovetura të tipit Volkswagen, me 18% të totalit, duke iu afruar me shpejtësi BENZ. Madje të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në tremujorin e parë të këtij viti Marka “Volkswagen” është marka me qarkullim më të lartë në vend në kategorinë e mjeteve të reja rrugore me 20,4%, e ndjekur nga marka ““Mercedez Benz” me 16,3%.

 

Marka e tretë më e preferuar është DAIMLER CHRYSLER (10.4%) e ndjekur nga Forf (9.6%), Opel (5.2%), Audi (5.8%), Fiat (3.9%); Toyota (4.6%), BMW ( ); Renault (3.4).

 

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në vitin 2022 në vend kishte gjithsej 639.379 autovetura, që përbënin 80.3% të totalit të mjeteve gjithsej në vend (796.438 mjete gjithsej me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht”). Pjesa tjetër përbëhet nga “Automjetet për transport të përzier ” (6,5 %) dhe “Motor” (5,4 %),.

 

Në vitin 2022, numri i autoveturave për pasagjerë për 1.000 banorë është 232. Në vitin 2021, ky tregues ishte 212 autovetura për 1.000 banorë.

 

41% e autoveturave janë më të vjetra se 20 vjet

 

Flota e mjeteve që operojnë në Shqipëri vijon të mbetet shumë e vjetër dhe po zëvendësohet me ritme të ngadalta. Gati 41% e autoveturave që qarkullonin deri në fund të vitit 2022 kishin një moshë më të lartë sesa 20 vite. 51% kishin një moshë nga 11-20 vite; 5.5% nga 6 deri në 10 vite dhe vetëm 5 mijë makina, apo 0.8% janë të reja, me vit prodhimi prej më pak sesa dy vjet.

 

Megjithatë numri i mjeteve të vjetra po bie. Sipas INSTAT, Numri i autoveturave të regjistruara në vitin 2022, me vit prodhimi 2011-2022 është rritur me 27,1 %, grupi 2000-2010 është rritur me 7,7 % ndërsa grupi i autoveturave me vit prodhim para vitit 2000 ka pësuar rënie me 0,8 %.

 

Në vitin 2022, marka “Mercedez Benz” regjistrohet si marka më e përdorur e autoveturave të regjistruara me vit prodhimi para 2000 dhe viteve 2011-2022. Marka “Volkswagen” regjistrohet si marka më e përhapur e autoveturave me vit prodhimi 2000-2010.

 

Durrësi kryeson për numrin e lartë të automjeteve

 

Në vitin 2022, numri i autoveturave për pasagjerë për 1.000 banorë në qarkun Durrës është 301, i ndjekur nga qarku Lezhë me 287 autovetura për 1.000 banorë. Qarku me numrin më të vogël të autoveturave për pasagjerë për 1.000 banorë është qarku Korçë me 165 autovetura për 1.000 banorë.

 

61% e autoveturave janë manuale

 

Autoveturat me kambio “Manuale” zënë pjesën më të madhe (60,8 %) të autoveturave gjithsej që rezultojnë me status “aktiv” ose “të çrregjistruara përkohësisht” në vitin 2022.

 

74% e makinave janë me naftë

 

Numri më i madh i autoveturave që qarkullojnë në vendin tonë në vitin 2022 përdorin lëndë djegëse “Naftë” duke zënë 73,7 % nga 73,6 % në vitin 2021, ndjekur nga autoveturat që përdorin lëndë djegëse “Benzinë” me 16,7 % ndaj numrit gjithsej të autoveturave nga 17,3 % që ky grup zinte deri në vitin 2021. Numri i autoveturave që përdorin lëndë djegëse “Naftë” në vitin 2022, është rritur me 7,8 % në krahasim me vitin 2021. Numri i autoveturave që përdorin lëndë djegëse “Benzinë” është rritur me 4,5 % krahasuar me vitin 2021./Monitor