Turizmi duket se ka vijuar të ketë ecuri pozitive edhe në muajin e dytë të vitit.

 

Statistikat e Lëvizjes së Shtetasve të INSTAT tregojnë se hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë rritur me rreth 54 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

“Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Shkurt 2023, janë 695.246. Ky tregues rezulton me një rritje 51,5%, krahasuar me Shkurt 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shkurt 2023, janë 693.021, duke shënuar një rritje me 40,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Në Shkurt 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 385.921. Ky numër është rritur me 49,6%, krahasuar me Shkurt 2022. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 309.325. Ky numër është rritur me 53,9%, krahasuar me Shkurt 2022”, thuhet në publikimin e Institutit të Statistikave.

 

I njëjti nënvizon se gjatë dymujorit të parë 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 686.536. Ky numër është rritur me 73,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022

 

INSTAT raportoi gjithashtu për një rritje të shqiptarëve që dalin jashtë vendit ku gjatë muajit Shkurt 2023 janë 389.654 shtetas që kanë lënë vendin.

 

“Krahasuar me Shkurt 2022, ky tregues është rritur me 32,7%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shkurt 2023, janë 303.367. Krahasuar me Shkurt 2022, ky tregues është rritur me 51,5%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë dymujorit të parë 2023, është 931.767, duke u rritur 40,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në publikim.

 

Gjatë shkurtit sipas INSTAT, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 300.057 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 6.250 dhe 1.363 shtetas.

 

Referuar të dhënave për qëllimin e vizitës në shkurt rezulton se në Shkurt 2023, krahasuar me Shkurt 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur: për qëllime personale me 55,8% për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 54,3%; për biznes dhe qëllime profesionale me 6,3%./Monitor