Një metodë e Eurostat që po përdoret për matjen e inflacionit në vendin tonë tregoi se çmimet po rriten me ritme shumë më të larta në qershor, se sa matjet e brendshme nga INSTAT.

 

Sipas treguesit nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (Eurostat), në muajin qershor, inflacioni u rrit me 5.8%, por matjet e INSTAT referuan në të njëjtin muaj rritje me 4,5%.

 

Vitin e kaluar, Shqipëria kishte rritjen më të ulët të inflacionit në krahasim me mesataren e BE-së, por kjo diferencë po shuhet këtë vit.

 

Vjet në tetor, inflacioni mesatar në BE-së ishte 11.5%, ndërsa në Shqipëri 8% ose 3.5 pikë përqindje më i ulët, ndërsa në qershor 2023, diferenca është vetëm 0.6%.

 

Ky ngushtim i diferencës vjen për arsye se vitin e kaluar, rritja e çmimeve në BE u ndikua nga grupi i energjisë, ndërsa në Shqipëri, inflacioni është ndikuar nga grupi i ushqimeve, të cilat po qëndrojnë përgjithësisht të larta edhe nga mungesa e prodhimit vendas sidomos në prodhimet blegtorale.

 

Sipas metodës së Eurostat, rritja më e madhe e çmimeve prej 12,1% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 10,8%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 5,9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,4%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,3% secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,0%, “Shërbimi arsimor” me 2,5%, “Shëndeti” me 2,2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,5% dhe “Komunikimi” me 1,2%.

 

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 7,0%. Në muajin qershor 2023, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,5%, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3%.

 

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 2,8%, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,3%, “Veshje dhe këpucë”, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2% secili dhe “Shëndeti” me 0,1%.

 

Në qershor 2023, çmimet u rriten me ritme me te larta në Hungari me 20% dhe në Sllovaki dhe Poloni me rreth 11%. Nga ana tjetër ritmet më të ulëta të çmimeve ishin ne Luksemburg, Spanjë dhe Belgjike.

 

Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

 

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së.

 

Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

 

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

 

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

 

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

 

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

 

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

 

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë./Monitor