Goditet një tjetër rast i tentativës për të kontrabanduar në Shqipëri, mallra për cilat paguhet akcizë dhe mallra të tjera. Vihen në pranga shoferi dhe pronari i furgonit të linjës Ankona-Durrës, në të cilin u gjetën mallrat e padeklaruara në hyrje të RSh-së.

 

 

Shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës, në kuadër të masave të shtuara për sezonin turistik dhe të kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Customs”, si rezultat i të cilit u godit një rast i tentativës për të kontrabanduar mallra në Shqipëri.

 

Për këtë rast u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

 

F. G., 26 vjeç, banues në Dimal (drejtuesi i automjetit);

 

A. Ç., 60 vjeç, banues në Lushnjë (pronari i automjetit).

 

Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port Durrës, në hyrje të RSh-së, gjatë kontrollit të ushtruar në bashkëpunim me autoritetet doganore, në automjetin (furgonin) me drejtues shtetasin F. G. dhe pronar shtetasin A. Ç., gjetën dhe sekuestruan dhjetëra kuti me kafe dhe mallra të tjera, të cilat këta shtetas po tentonin t’i kontrabandonin në vendin tonë.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.