Teksa shumë zona në Greqi po përballen me zjarre masive dhe të frikshme, zonat e Serres dhe e Kavallës janë goditur nga moti i keq me reshje shiu. Shkatërrim të shumë bizneseve dhe ndërprerje të energjisë elektrike ka shkaktuar tornadoja që “goditi” papritur pasditen e së dielës këto zona, duke shkaktuar tmerr tek ata që ndodheshin aty për nga ashpërsia e fenomenit. Në Serres, degët e pemëve kanë rënë mbi kabllot energjetike, apo dhe mbi makina, duke sjellë kështu ndërprerjen e energjisë elektrike.
Zjarrfikëset në Serres kanë marrë më shumë se pesëdhjetë telefonata për persona të bllokuar në ashensorë, siç raporton ERT. Para kishës së Agios Nikitas, dukuria ekstreme e motit shkuli nga vendi dy pemë, duke sjellë dëme të mëdha. Në Kavala, zona e prekur nga stuhia ishte në Ofrynio dhe në plazhin Touzla në zonën bregdetare të komunës së Pangaios.
Edhe pse i shkurtër në kohëzgjatje (rreth 20 minuta), uragani pati një intensitet të lartë me erëra të forta dhe shi të dendur, duke rezultuar në dëmtime të bareve të plazhit, restoranteve dhe makinave, rënie të pemëve dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Raportohet për një person të plagosur nga një çadër prej druri, e cila u shkul nga erërat e forta.