Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka çuar për gjykim inspektorët e Agjencisë së Barnave, Luan Çiçi, Armando Luka si dhe Besiana Xhelilaj.

 

 

 

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.13 të vitit 2023 dhe në përfundim të tyre në datën 24.07.2023 i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve: 1. Luan Çiçi, akuzuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 259/2 e 25 të Kodit Penal. 2. Armando Luka, akuzuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 259/2 e 25 të Kodit Penal. 3. Besiana Xhelilaj (Gega), akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga analiza një nga një dhe në unitet e të dhënave të përfituara nga të dhënat e nxjerra nga ekzaminimi i aparateve celular të të pandehurve, të dhënat e përfituara nga praktikat e administruara në Agjensinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, nga kqyrjet e pamjeve filmike të emisionit invesitgativ “Stop“, deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale dhe deklarimet e të pandehurve, është provuar tej dyshimit te arsyeshëm se të pandehurit Luan Çiçi dhe Armando Luka, inspektorë të AKBPM-së kanë kërkuar shumën monetare prej 100.000 lekë dhe kanë përfituar në mënyrë të parregullt shumën totale prej 60.000 lekësh nga shtetasi Andi Selxhaferi, i cili ushtron aktivitet tregtar farmaci dhe është objekt kontrolli i AKBPM-së. Kjo shumë monetare është përfituar në mënyrë të parregullt me qëllim mos evidentimin dhe marrjen e masës administrative për shkeljet e gjetura gjatë inspektimit në subjektin Andi Selxhaferi PF. Pas inspektimit të ushtruar të pandehurit Luan Çiçi dhe Armando Luka më datë 27.12.2022 e kanë mbyllur procedurën e inspektimit të pastër pa shkelje, pa masë administrative dhe për këtë kanë marrë në dy raste nga shtetasi Andi Selxhaferi mitën në shumën totale prej 60.000 lekësh. E pandehura Besiana Xhelilaj, me detyrë shefe e sektorit të inspektimit në AKBPM, pasi është vënë në dijeni për një rast të tregtimit të një medikamenti (hepatect) me pullë tjetër të ndryshme nga ajo e lëshuar nga AKBPM, me çmim më të lartë shitje, në shkelje të nenit 20 dhe 37 të ligjit 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” nuk ka kryer detyrën e saj funksionale. Shkeljet e nenit 20 dhe 37 të ligjit 105/2014 dënohen me masë administrative, por e pandehura edhe pse e ndodhur në dijeni të faktit të kundërligjshëm nuk ka kërkuar të merren masa për identifikimin dhe inspektimin e subjektit që e tregtonte dhe depos farmaceutike por i ka dërguar mesazhe përfaqësuesit të depos që e importon duke i bërë të qartë se për raste të tjera të ngjashme ka marrë masa administrative, duke lënë të kuptohet se është duke i bërë një favor. Hetimet e këtij procedimi penal janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimin nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorit të Posaçëm.