Edmond Haxhia i dyshuar si porositës i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj bashkë me dy shtetasit britanikë Stephen Hunt dhe Thomas Mithan, të arrestuar nga policia në Londër do të ekstradohen në Shqipëri.

Policia e shtetit bën me dije se operacioni është finalizuar falë bashkëpunimit mes autoriteteve të dy vendeve të cilat kanë shkëmbyer informacion në lidhje me vendndodhjen e tre personave të dyshuar si të përfshirë në këtë vrasje.

 

Aktualisht po vijon puna për kapjen e tre personave të tjerë të përshirë në këtë ngjarje, mes të cilëve edhe portugezi që shkrepi armën duke vrarë me 7 plumba biznesmenin në lokalin në pronësi të tij në Shëngjin.

 

Njoftimi i policise

 

Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohen dhe kapen në Londër, 3 prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.

 

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj, falë shkëmbimit të informacionit në kohë, Policia britanike mundi të lokalizojë në Londër, të kapë dhe të vërë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 3 prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit E. H., Th. M. dhe S. H.

Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon intensivisht  punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen.