Një 16-vjeçare humbi jetën në Itali. E mitura vdiq në një kamp çadrash me pushues në Breschia, pasi u godit nga një pemë që u shkul me gjithë rrënjë nga erërat e fuqishme.

 

E reja ishte viktimë e stuhisë së tërbuar që goditi veriun e Italisë, natën mes të hënës dhe të martës.

 

Stuhitë e shiut goditën gjatë natës edhe Milanon dhe rajone të tjera të veriut deri në Veneto, ku pati me dhjetëra të plagosur në incidente të ndryshme.

 

Erërat e forta, përveçse shkulën pemë, dëmtuan me dhjetëra ndërtesa e automjete. Shumë rrugë nëpër qytete u përmbytën, duke futur në kaos qarkullimin rrugor si në rastin e Milanos.

 

Në disa raste, stuhitë u shoqëruan edhe me breshër me kokrra të mëdha.

 

Ndërsa mediat raportojnë që jugu i Italisë digjet nga temperatura që kanë arritur pranë rekordeve në Siçili, 47 gradë Celcius dhe shumë vatra zjarri kanë shpërthyer orët e fundit.