Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbështetur dhe nga inteligjenca informative për disa shtetas që shpërndanin lëndë narkotike, në zona të ndryshme të Beratit dhe në ambiente të ndryshme, referuan materialet në Prokurorinë Berat, e cila regjistroi procedim penal, me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Pas një hetimi disamujor me metoda proaktive, të kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë, u ushtrua kontroll në banesat e 5 shtetasve, ku u gjetën dhe u sekuestruan sasi të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua shtetasi Ervis Shpata 34 vjeç, banues në lagjen “Uznovë”, Berat, pasi në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan rreth 706 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. N., 37 vjeç, E. N., 46 vjeç, S. S., 32 vjeç dhe M. N., 44 vjeç, të gjithë banues në lagjen “Uznovë”, Berat, pasi gjatë kontrollit në banesat e tyre u gjetën dhe u sekuestruan sasi të vogla kokaine.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Ervis Shpata siguronte kokainën në sasi dhe më pas ua shiste 4 shtetasve të tjerë, që ta shpërndanin në doza, në zona të ndryshme në qytetin e Beratit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.