Partia Demokratike publikoi të premten listën e vendvotimeve ku 25 000 anëtarë të Partisë Demokratike me të drejtë vote, do të shprehin vullnetin e tyre për kryetarin e ri të kësaj force politike.
Përmes një njoftimi për mediat, PD njofton se qendrat e votimit do të jenë të hapura këtë të shtunë prej orës 08:00 deri në orën 19:00
“PD publikon qendrat e votimit për zgjedhjet e nesërme. Të nderuar anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë! Nesër më datë 29.07.2023, zhvillohet procesi i zgjedhjeve për Kryetar të PDSH! Ftojmë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të marrin pjesë në këtë proces mjaft të rëndësishëm për ringritjen e PD. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 19:00.Ju vendosni të ardhmen e PD dhe të ardhmen e Shqipërisë.”, bëhet me dije në njoftimin e publikuar nga PD, ku bashkangjitur është dhe lista e qendrave të votimit.
Të enjten në mbrëmje, Këshilli Kombëtar i PD i thirrur nga Gazment Bardhi anuloi procesin zgjedhor, ndërsa njoftojë dhe ngrirjen e funksioneve të kryesisë së selisë blu. Por një gjë e tillë nuk u njoh nga kryesia dhe Indrit Sefa, Sekretar për Çështjet ligjore në PD njoftoi se proçesi zgjedhor do të vazhdojë normalisht.
Përballë në zgjedhjet e 29 korrikut për pozicionin e kryetarit të PD janë Lulzim Basha dhe Gjergji Hani.