Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, grupi vullnetar “Klubi Parlamentar për të Rinjtë” në bashkëpunim me Fondacionin Westminster për Demokraci në Shqipëri, organizuan një tryezë pune me temë “Diskutime në lidhje me ligjin për rininë”.
Në këtë takim ishin të ftuar përfaqësues nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ambasada Britanike, Westminster Foundation for Democracy, Qendra Act For Society, Qëndresa Qytetare, United Nations Association Albania, Kongresi Rinor Kombëtar dhe studentë të Fakultetit të Drejtësisë.
Kryetarja e Klubit Parlamentar për të Rinjtë, Erisa Xhixho, u shpreh në nisje të takimit se, “të rinjtë përballen me një sërë sfidash në vendin tonë dhe se kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve, ata nuk shohin mundësi reale për zhvillimin e karrierës së tyre në vend. Rinia shqiptare ka ambicie por ka mungesë mundësie dhe ne duhet t’i krijojmë atyre hapësira. Rinia, emigrimi, problemet e arsimit janë disa çështje që na bashkojmë”.
Drejtuesi i Fondacionit Ëestminster për Demokraci në Shqipëri, Valbona Kuko, gjatë fjalës së saj u shpreh se, është i nevojshëm bashkëpunimi gjithëpërfshirës, jo vetëm me parlamentin, por dhe me të rinjtë për t’i mbështetur ata në iniciativat e tyre. Problematikat e të rinjve dihen, por dua të theksoj që gjatë këtij viti do të mbështesim iniciativat për të rinjtë, do të mundësojmë shkëmbim të eksperiencave në vendet e BE dhe për të identifikuar më tej problematikat e tyre”.
Përfaqësuesi i Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Oltion Pengu, u shpreh gjatë aktivitetit se, kanë nisur procesin e rishikimit të ligjit dhe kemi parashikuar takime me grupet e interesit, shoqërinë civile, të cilët do të ftohen të japin këndvështrimet e tyre në procesin e rishikimit ligjor që produkti të jetë sa më i mirë dhe të fuqizohen të drejtat e rinisë”.
Takimi vijoi me diskutime mes deputetëve anëtarë të Klubit Parlamentar për të Rinjtë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe në përfundim u konkludua që rekomandimet e dala nga takimi do të vijojnë të diskutohen në tryeza të radhës./ata