Kreu i OKB-së paralajmëroi sot se “epoka e të nxhetit përvëlues global ka ardhur” pasi korriku i këtij viti pritet të shkojë në histori si muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë, raporton Anadolu.
“Ndryshimi i klimës është këtu. Është gjë e frikshme. Dhe është vetëm fillimi. Epoka e ngrohjes globale ka përfunduar; epoka e të nxehtit përvëlues global ka ardhur”, u tha Antonio Guterres gazetarëve në selinë e OKB-së në New York.
“Udhëheqësit duhet të udhëheqin. Nuk ka më hezitim. Nuk ka më justifikime. Nuk ka më pritje që të tjerët të lëvizin të parët. Thjesht nuk ka më kohë për këtë”, shtoi ai.
Korriku pritet të regjistrohet si muaji më i nxehtë ndonjëherë, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike dhe Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Komisionit Evropian, “Copernicus”.
Të dhënat tregojnë se korriku kishte temperaturat më të larta oqeanike për këtë kohë të vitit.
Guterres tha se është e mundur të kufizohet rritja e temperaturës globale në 1,5 gradë Celsius dhe të shmanget ndryshimi më i keq i klimës.
Marrëveshja e Parisit për Klimën e arritur në vitin 2015 synon të kufizojë ngrohjen globale nën 2 gradë Celsius, mundësisht në 1,5 gradë, deri në fund të shekullit për të luftuar ndryshimet klimatike, duke kërkuar që kombet të përgjysmojnë emetimet e tyre deri në vitin 2030 dhe deri në neto zero deri në vitin 2050.
“Kemi nevojë për objektiva të reja kombëtare ambicioze për reduktimin e emetimeve nga anëtarët e G20-s”, tha Guterres.
Ai u bëri thirrje kompanive, si dhe qyteteve, rajoneve dhe institucioneve financiare që të vijnë në Samitin e Ambicieve të Klimës me plane të besueshme tranzicioni.