Franca, Gjermania dhe Polonia u zotuan se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.
Ministrat e Mbrojtjes të tre vendeve, përkatësisht Sebastien Lecornu, Boris Pistorius dhe Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, u takuan në Paris për të diskutuar çështjet globale dhe evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë luftën në Ukrainë dhe Samitin e ardhshëm të NATO-s në Washington.
Të gjithë ministrat u zotuan të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën. Lecornu kritikoi Rusinë për "shantazhimin bërthamor" si pjesë e strategjisë së saj të frikësimit.
Samiti i NATO-s në Washington "do të jetë një mundësi për të treguar se sa shumë jemi të bashkuar", tha Pistorius.
Kosiniak-Kamysz njoftoi se Franca, Gjermania dhe Polonia do të kryejnë një stërvitje të përbashkët në vitin 2025 në territorin polak. Ai u bëri thirrje të gjithë aleatëve të NATO-s që të përmbushin objektivin prej 2 për qind të shpenzimeve të mbrojtjes, i cili tashmë është dyfishuar nga Polonia, duke arritur në 4 për qind.
Lidhur me çështjen e migracionit, ministri polak vuri në dukje se ata që mbërrijnë në kufirin polak nuk janë emigrantë, por njerëz që sulmojnë policinë, ushtarët dhe oficerët e kufirit.
"Këto janë sulme kundër vendeve perëndimore", tha ministri.
- Zgjedhjet në Francë
Pistorius tha se do të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme në Francë dhe shtoi se nga pikëpamja gjermane, "nacionalizmi nuk ka qenë kurrë zgjidhja e problemeve, por përkundrazi, pjesë e problemeve".
Partia franceze e ekstremit të djathtë shënoi fitore në zgjedhjet evropiane më 9 qershor, gjë që bëri që presidenti Emmanuel Macron të pranonte situatën dhe të shpërndante parlamentin, duke caktuar zgjedhjet më 30 qershor.
"Ajo që ka rëndësi tani është të zgjedhim ata që do të garantojnë sigurinë dhe zhvillimin, dhe tani janë francezët ata që do të vendosin se kush do të qeverisë", theksoi Kosiniak-Kamysz, duke shtuar: "E pranoj, është një vendim që do të ketë ndikim në të gjithë Evropën".
Lecornu theksoi se siguria e Francës është çështje serioze dhe nuk mund të shihet ndaras në kontekstin e konflikteve dhe tensioneve në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Azi./aa