Në prag të 103 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet, kryebashkiaku Erion Veliaj nderoi punonjësit me kontributin më të gjatë në punët e qytetit.

 

Me “Certifikatë Mirënjohjeje” u vlerësuan punonjësit si, Ganimet Gunga, i cili ka kontribuuar prej 40 vitesh në gjelbërimin e qytetit, apo Fatbardha Baholli, e cila numëron 32 vite punë në bashkinë e Tiranës, teksa në prill mbush moshën për pension.

 

Veliaj falënderoi edhe punonjës të tjerë, që kanë shërbyer për vite e dekada me përkushtim dhe profesionalizëm në sektorë të ndryshëm të bashkisë.

 

“Ne duhet të jemi një shoqëri që duhet të punojë më shume sepse i duhet të rikuperojë edhe kohën e humbur nga komunizmi apo tranzicioni, nga luftërat, pushtimet apo vonesat e panevojshme. Kemi humbur 13 vjet për sheshin “Skënderbej”, 3 vjet për Unazën e Madhe te “Astiri”, një vit për Këndin e Lodrave te Parku i Liqenit, 2 vjet për Pazarin e Ri. Prandaj, shpresoj shumë që, për brezat që do të vijnë, kontributi juaj jo vetëm që nuk do të harrohet, por do të kthehet në një leksion se si duhet shfrytëzuar dhe maksimalizuar çdo minutë, çdo sekondë, në dobi të vendit dhe qytetet tonë. Më vjen mirë që sot, duke qenë se kolegët janë në prag pensioni, nderojmë disa nga ata që i kanë kushtuar jetën qytetit”, u shpreh Veliaj.

 

Ai tha se, punët e mira mund të bëhen vetëm në skuadër, duke vlerësuar një nga një të gjithë ata që i kanë shërbyer qytetit të Tiranës me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim.

 

“Jam shumë i gatshëm që të marr të gjithë përgjegjësinë për kritikat që i bëhen qytetit, por nuk jam i gatshëm të marr asnjë meritë për vlerësimet që i bëhen qytetit, sepse ajo ka qenë punë skuadre. Unë gabimet i bëj edhe vetë, kurse punët e mira i bëj vetëm në skuadër. Ky është një reflektim edhe për mua si drejtues, por edhe për gjithë skuadrën tonë të mrekullueshme, që bën një nga punët më të vështira. Ata janë heronjtë që ndoshta nuk dali çdo ditë në televizor, nuk ftohen nëpër emisione, nuk kategorizohen si VIP-a, por pa këta njerëz të rëndësishëm, pa këta VIP-a të Bashkisë, që kurojnë çdo detaj, ky qytet nuk do ishte ku është sot, vlerë e pronës nuk do të ishte ku është sot. Për këtë ndihem i lumtur sot”, u shpreh Veliaj.

 

Irfan Dashi, Ermira Frangu, Fatbardha Lila, Bukurie Demiraj, Astrit Fuga, Zef Leka, Fatbardha Baholli, Ganimet Gunga, Gzim Beluli, Ylli Lapardhoti janë punonjësit që u nderuan me “Certifikatën e Mirënjohjes” nga bashkia e Tiranës.