Policia e Durrësit, komisariati i Kavajës ka arrestuar një 60 vjeçar, i cili akuzohet për zjarrvënie të qëllimshme.
Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Durrësit bëri të ditur, se 60 vjeçari kishte ndezur zjarr për djegien e mbeturinave dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe e madhe toke me pemë të ndryshme dhe binarë të trasesë së hekurudhës.
“Strukturat e Komisariatit të Policisë Kavajë, në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për marrjen e masave me qëllim përballimin e situatave që mund të krijohen si rezultat i zjarreve në fondin pyjor e kullosor përgjatë sezonit veror 2023”, kanë ushtruar kontrolle të vazhdueshme në territor, me qëllim parandalimin e zjarrvënies, identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që ndezin zjarre, si në tokat e tyre, ashtu edhe në sipërfaqet pyjore apo në kullota. Si rezultat i kontrolleve është evidentuar një rast i zjarrvënies, për të cilin është arrestuar në flagrancë shtetasi G. Sh., 60 vjeç, banues në Rrogozhinë.”, njofton Policia e Durrësit.
“Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturinat, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me pemë të ndryshme (kryesisht ullinj) dhe binarë të trasesë së hekurudhës Rrogozhinë-Peqin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”, vijon njoftimi i Policisë së Durrësit.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.