Është kapur një prej të kërkuarve për mashtrimin me Call Center, operacion që u bë me dije nga SPAK ditën e djeshme. 

 

Vijon operacioni policor i koduar "Dream earnings". Shkon në 10 numri i shtetasve të ndaluar.

 

 

Kapet në Himarë, falë inteligjencës policore dhe koordinimit të veprimeve mes DVP Tiranë dhe Komisariatit të Policisë Himarë, një shtetas i shpallur në kërkim ditën e djeshme, në kuadër të këtij operacioni.

 

Ditën e djeshme, në kuadër të këtij operacioni, janë ekzekutuar 5 masa sigurie "Arrest në burg", dhe 4 masa sigurie "Arrest në shtëpi". 

 

Falë inteligjencës policore, kërkimit dhe gjurmimit për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, u bë e mundur kapja në Himarë dhe ndalimi i shtetasit B. Gj., 31 vjeç, banues në Tiranë.   

 

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar "Dream earnings", pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë ''Arrest në burg'', për veprat penale ''Mashtrimi kompjuterik , kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal'', “Grupi i strukturuar kriminal'' dhe ''Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.  

 

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. 

 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.