Durrësi, vizitohet nga turistë të shumtë gjatë gjithë vitit, por në muajt e verës është i përqendruar fluksi më i lartë i pushuesve.

Pavarësisht specifikave të tij dhe numrit të lartë të turistëve, prej vitesh ujërat e zeza vijojnë të derdhen në det. Kjo sjell ndotje masive dhe panoramë aspak tërheqëse për turistët.

Midis zonës së Plepave dhe Shkëmbit të Kavajës është kanali i ujërave të zeza, i cili derdhet në det. Fare pranë tij janë të vendosura çadrat dhe shezlongët për pushuesit. Ky është një ndër kanalet e cila prej vitesh vijon të qëndrojë aty.Askush nuk ka marrë masa për ta mbyllur, pastruar apo filtruar ujërat.

Një kanal tjetër është i vendosur në Golem, një zonë e populluar me biznese të shumta dhe pushues gjatë sezonit. Ndotja që shkaktojnë ujrat e zeza përbën rrezik për banorët dhe pushuesit pasi mund të kthehen në burime infeksioni në lëkurë.
Ngjitur me këtë kanal janë të vendosura çadrat e bizneseve dhe priten pushuesit, me të njëjtën problematikë e cila nuk gjen zgjidhje prej vitesh.

Edhe tek sheshi Taulantia janë të dukshme tubacionet e ujërave të zeza të cilat derdhen në det. Situata mbetet e njëjtë pavarësisht se çdo çelje të sezonit tëplazhit flitet për të njëjtat problematika.

Kanale ka edhe në brendësi të qytetit, ku grumbullohen ujërat e zeza që kalojnë mes për mes shtëpive të banuara, duke rrezikuar shëndetin e popullatës. Të gjitha kanalet derdhen në det./TopChannel