Në prag të zgjedhjeve për Kreun e Partisë Demokratike, është rishfaqur dhe përplasja mes Ish Kryetarit të PD, Lulzim Basha dhe Kreu të Rithemelimit në selinë blu, Sali Berisha.

 

Duke komentuar zhvillimet në PD dhe zgjedhjet për kreun e kësaj force politike në 29 korrik, Berisha, përmes një deklarate për mediat, e akuzoi Bashën si peng të Kryeministri Rama.

 

“Unë kam besim të plotë te demokratët. Te idealet e tyre demokratike. Se nuk do i lejojnë kurrë vetes, nuk do pranojnë të bëhen pjesë e një skenari të Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Të turpshëm, me të cilin nuk kanë qëllim tjetër, vetëm të krijojnë një patericë të tyre, njëlloj siç bëri Ramiz Alia në vitin 1991, që shpalli Frontin apo Organizatën e Gruas si organizata elektorale.”, tha Berisha.

 

“Unë kam bindjen që demokratët do qëndrojnë në lartësinë e tyre. Jam i bindur se demokratët nuk do i lejojnë vetes të implikohen apo të mbështesin një skenar që me të vërtetë përbën skenarin më të turpshëm në historinë 32-vjeçare të pluralizmit politik.”, shtoi Berisha.

 

I menjëhershëm ishte reagimi i ish Kreut të PD, Lulzim Basha përmes rrjeteve sociale. Sipas tij, Berisha të votoi vetingun në politikë për të treguar se nuk është i korruptuar.

 

“Ka vetëm një rrugë që të tregojmë kush është i korruptuar e kush jo, kush është peng e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, le të votojmë vetingun për politikanët dhe familjarët e tyre. Të nisë transparenca nga unë e më pas të gjithë këta që sot e 32 vite mbajnë peng Shqipërinë. Kjo është rruga e vetme për të çliruar pengjet, luftuar korrupsionin dhe pastruar politikën”, thekson Basha.