Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit, Altin Dumani deklaroi sot se, SPAK ka gati një strategji që pritet ta publikojë në janar të vitit 2025 për krimet zgjedhore.
I pyetur nga deputetja e PD, Albana Vokshi lidhur me krimet zgjedhore, Dumani tha se,”lidhur me krimin zgjedhor, janë hetuar 50 procedime penale gjatë vitit 2023 lidhur me zgjedhjet. 17 persona janë hetuar për krim zgjedhor, 8 për gjykim, 6 kërkesa për pushim, 2 janë transferuar. 1 është pezulluar, 1 është bashkuar. 32 janë mbartur për vitin 2024″.
Dumani tha se, “këto janë tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e SPAK sa i takon krimit zgjedhor. Tregojnë se SPAK ka treguar kujdesin e duhur për hetimin e çështjeve të kësaj natyre”.
“Në komisionin e ligjeve kam deklaruar që jemi drejt përfundimit të një strategjie sa i takon hetimit të krimit zgjedhor. Do të bëhet publike në janar të 2025 dhe synimi është që në fillim të vitit 2025 ne të kemi krijuar instrumentet e nevojshme njerëzore, por edhe mjetet teknike me qëllim hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme gjatë vitit 2025”, tha Dumani.
Dumani iu drejtua Vokshit se, “e kam vënë re që jeni aktive sa i takon kallëzimeve, por për çështje ku jeni kallëzuese drejtojuni SPAK me kërkesë për marrje informacioni. Duke qenë se je kallëzuese japim informacionin e nevojshëm. Janë çështje në hetim dhe s’mund të flas”.
Sa i takon bashkëpunimit me policinë, Dumani tha se, “bashkëpunimi është shumë i mirë. Problematika që ne kemi evidentuar e kam adresuar publikisht pjesë të raportit, edhe në Komisionin e Ligjeve. Është problematikë që duhet adresuar dhe po marrim masa për ta zgjidhur. Solla një shifër të punonjësve që janë proceduar në 3 vite, është një numër i lartë dhe po punojmë për zgjidhjen me Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme”.
I pyetur lidhje me hetimin për bisedat e Encrochat, Dumani tha se, “është çështje në hetim, s’mund të them asgjë”. “SPAK duhet të jetë krenar për bashkëpunimit me agjencitë e europës, SHBA, Britanisë, kemi bashkëpunim dhe këto çështje bëhen në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtar”, theksoi Dumani.
Ndërsa duke ju përgjigjur pyetjes së deputetit të PS, Denis Deliu përse SPAK nuk hap zyrë në qytetet me kriminalitet më të lartë, Dumani u shpreh se do të vijë momenti që këto zyra në rrethe të hapen ku do të punojnë oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe jo prokurorë.
“Do vijë dhe momenti që mund të hapen jo me prokurë, por me oficerë të BKH që mund të hapen zyra edhe në rrethe. Pasi të kalojë koha, pasi të kemi dhe numrin e nevojshëm të njerëzve në dispozicion, do shikohet dhe procedohet edhe me hapjen e zyrave të SPAK në rrethe. Është një proces kërkon kohën e vet”, tha Kreu i SPAK./ata